Lajm i mirë: Mjekët nga Turqia po operojnë 12 fëmijë në Kosovë të lindur me probleme në zemër
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka nisur një mision humanitar me rëndësi të veçantë për shëndetin e fëmijëve. Një ekip i specializuar i mjekëve nga Turqia, në kuadër të organizatës ndërkombëtare Muntada Aid, po kryen ndërhyrje kirurgjikale për 12 fëmijë të lindur me sëmundje të rënda në zemër.
Në bashkëpunim të ngushtë me disa nga klinikat kyçe të QKUK-së, është realizuar me sukses ndërhyrja e parë e këtij lloji në Ballkan, për trajtimin kirurgjikal të një të porsalinduri me atresion të arteries pulmonare – një gjendje serioze që rrezikon jetën. Ky operacion shënon një hap të madh për mjekësinë kosovare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kardiokirurgjisë pediatrike.
Falë përkushtimit të mjekëve kosovarë dhe ekspertizës së ekipit turk, ndërhyrja përfundoi me sukses, duke i dhënë foshnjës një mundësi të re për jetë normale. Ky bashkëpunim është pjesë e një programi të gjerë që synon të shpëtojë jetë dhe të përmirësojë cilësinë e trajtimit për fëmijët me probleme kardiake në Kosovë.
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka shprehur mirënjohje të thellë për organizatën Muntada Aid dhe për mjekët turq, përfshirë Prof. dr. Ilker Yucel, Prof. dr. Halil Demir, Prof. dr. Oktay Korun, Dr. Abid Karagoz, si dhe ekipin vendor me Dr. Ramush Bejiqin dhe stafin përcjellës. Ky mision është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përkushtimit në shërbim të jetës.