Lajm i mirë – Gjendet e sigurt 12-vjeçarja e raportuar si e zhdukur në Prizren, kthehet te familja
Një ngjarje që kishte shqetësuar një familje nga fshati Piranë i Prizrenit ka marrë një epilog të mirë. Vajza 12-vjeçare, Jerina Shala, e cila ishte raportuar si e zhdukur më 30 prill nga nëna e saj, është gjetur e sigurt dhe pa lëndime.
Siç mëson Sinjali e mitura kishte lënë shtëpinë e babait të saj më 28 prill, dhe që prej asaj dite nuk kishte pasur kontakt me familjarët. Nëna e saj kishte njoftuar Polici duke raportuar rastin si “Person i zhdukur”, duke theksuar se vajza kishte pasur edhe më herët raste të ngjashme largimi.
Fatmirësisht, më 1 maj, rreth orës 17:00, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren kanë marrë informacion se Jerina ishte kthyer në fshatin e saj dhe po qëndronte te xhaxhai.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar vajzën dhe babain e saj, ndërkohë ajo është dërguar për kontroll mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku është konstatuar se nuk kishte shenja lëndimesh.
Gjatë intervistimit në prani të zyrtares policore dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, Jerina ka deklaruar se kishte qëndruar tek një shoqe e saj në qytet.
Për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, ku me urdhër të tij vajza është kthyer tek familja, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar tërësisht rrethanat e largimit.
Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të mëtejmë.