Ky është zyrtari i ndaluar në Ferizaj, dyshohet se ka “shkurorëzuar” një çift pa vendim të Gjykatës

Një zyrtar i Komunës së Ferizajt është ndaluar sot, pasi dyshohet për veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Zyrtari i arrestuar është Ramadan Osmani, i cili punonte si zyrtar të Zyra e Kurorëzimeve.

Nga aty dyshohet se ka lëshuar një dokument të falsifikuar, duke e shkurorëzuar një çift pa aktgjykim të Gjykatës.

Gazeta Sinjali mëson nga burimet se ai e ka shfrytëzuar aktvendimin lidhur me alimentacionin dhe kujdesin e fëmijëve.

Si rrjedhojë, ai, ia ka mundësuar njërit prej bashkëshortëve të pajiset me certifikatën e shkurorëzimit.

Rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Departamenti për Krime të Rënda, njofton se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin R.O.,- person zyrtar, në zyrën e gjendjes civile në Komunën e Ferizajt, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga neni 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Po ashtu, lidhur me këtë rast është ndaluar edhe personi tjetër i dyshuar me iniciale F.V, në kohëzgjatje prej 48-orësh, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ndaj zyrtarit të dyshuar do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.

Lexo edhe:  Grabiten para në një pompë derivatesh në Lipjan