Ky është personi që gjuajti me armë zjarri në Fushë Kosovë, e kërcënoi 23-vjeçarin për borxh

Konflikti që ndodhi mbrëmë në rrugën “Shefki Kuleta” në Fushë Kosovë, ku u përfshinë dy persona, eskaloi në kanosje e përdorim të armës. I dyshuari përfundoi në pranga të Policisë dhe ndaj tij tashmë kanë nisur hetimet.

Siç merr vesh Sinjali, motivi që dyshohet se çoi në kërcënime e gjuajtje me armë lidhet me një borxh, për çka palët kanë pasur mosmarrëveshje.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi i dyshuar që e kërcënoi viktimën dhe gjuajti me armë zjarri është Muhedin Sylaj, rreth 29-vjeçar.

Sipas informacioneve të para, incidenti ka ndodhur në afërsi të një lokali, ku i dyshuari gjatë debatit me viktimën, një 23-vjeçar – e ka shkrepur armën, por fatmirësisht s’ka persona të plagosur.

Posa rasti është denoncuar, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë përkatëse, ku është sekuestruar arma me disa fishekë, si dhe gëzhoja.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

Lexo edhe:  E rëndë: 30-vjeçarja me aftësi të kufizuara ndërron jetë pasi u alivanos në QKMF-në e Skenderajt