Ky është personi që e kërcënoi policin e Trafikut në Gjakovë pasi ia dënoi punëtorin e ia konfiskoi patentën
Ligji i ri për rregullat e trafikut, i cili ka për qëllim veçanërisht rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve në trafik, parasheh edhe dënime më të ashpra. Kohët e fundit, jo rrallëherë, Policia është përballur me kanosje e sulme, qoftë verbale apo fizike për shkak të shqiptimit të gjobave ndaj shkelësve të këtyre rregullave, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Gjakovë, ku një polic i Trafikut është kërcënuar nga një 53-vjeçar, i cili i çoi selame se do të hakmerret për shkak të një dënimi që ka shqiptuar.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë është Bashkim Syla, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
53-vjeçari që përfundoi në prangat e Policisë është pronar i një kompanie dhe po dyshohet se e kërcënoi policin pasi ky i fundit ia kishte dënuar një punëtor dhe ia kishte konfiskuar patentë shoferin.
Bazuar në informacionet që ka Sinjali, shefi i revoltuar për gjobën ndaj punëtorit e kërcënoi policin përmes babait të tij, duke i shkuar te lokali.
Siç thonë të njëjtat burime, Bashkim Syla i ka çuar selame policit, duke e paralajmëruar se do t’i shkaktojë dëme për “gabimin” që e ka bërë dhe se do të merret personalisht me të.
Përballë kësaj situate, është njoftuar Policia dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për veprën penale “Kanosje”.