Ky është menaxheri i Western Union që dyshohet se u hapi derën mashtruesve për skemën me identitete të vjedhura

Një rast i rëndë që ka ndodhur në degën e Western Union në fshatin Piranë të Prizrenit, ku menaxheri i pikës, Muharrem Morina, 63 vjeç, dyshohet se është përfshirë në një skemë mashtrimi me pasoja të mëdha financiare.

Sipas informatave të siguruar nga Sinjali, Morina dyshohet se ka lejuar në mënyrë të kundërligjshme tërheqjen e shumave të parave në emër të personave të tretë, pa prezencën apo dijeninë e tyre, duke shkelur protokollet zyrtare të sigurisë të Western Union.

Tërheqjet janë kryer nga persona që tashmë figurojnë si të dyshuar në rast, përkatësisht Mërgim Gashi, Sebahudin Ibrahimi, Qendrim Ibrahimi dhe Shkëlzen Ibrahimi.

Të dy viktimat, L. L. dhe F. V., janë paraqitur si ankues në rast, pasi në emër të tyre janë kryer transferta ndërkombëtare që ata nuk i kanë autorizuar, e që dyshohet se janë përvetësuar përmes pikës së menaxhuar nga Morina.

Hetimet janë duke u udhëhequr nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Prizren, e cila ka nisur zyrtarisht procedurën penale ndaj Morinës për veprën “Keqpërdorim i besimit”, ndërkohë që hetimet janë në vazhdim për të siguruar edhe identifikimin dhe procedimin penal të pjesëtarëve tjerë të kësaj skeme kriminale.

Lexo edhe:  Arrestohet një burrë në Prishtinë, u kap me 26 pako fëstëka në duar në vlerë rreth prej 114€