Ky është i dyshuari që u kap nga Krimet Kibernetike, publikoi fotot e një vajze në Telegram e Whatsapp

Njësia e Krimeve Kibernetike e Policisë Rajonale në Gjilan ka zhvilluar një aksion lidhur me një rast të denoncuar në janar dhe si rezultat ka arrestuar një person. Gazeta Sinjali raportoi sot se i dyshuari 19-vjeçar ka përfunduar në ndalim policor dhe ndaj tij tashmë kanë nisur hetimet nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari që u arrestua nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara” është Lindgzim Bislimaj.

Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në ditët e para të janarit dhe viktimë është një vajzë 26-vjeçare, fotografitë e së cilës dyshohet se janë shfrytëzuar nga i dyshuari përmes rrjeteve sociale Telegram dhe Whatsapp.

Pas denoncimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorinë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe si rezultat është lokalizuar vendndodhja e të dyshuarit dhe i njëjti është arrestuar.

I riu është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal, teksa brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Lexo edhe:  Përfundon në duart e policisë i kërkuari për vjedhje në Prishtinë