Ky është i dyshuari që i rezistoi arrestimit në Suharekë, u prangos nga Policia pas disa orë negociatash

I dyshuari u arrestua dje në Suharekë, pas një aksioni dramatik ku Policia rrethoi shtëpinë e tij për disa orë.

Bëhet fjalë për Nazim Graishtën, 50-vjeçar, i cili për ditë të tëra kishte qenë në arrati pasi akuzohej për dhunë në familje dhe lëndim trupor ndaj bashkëshortes së tij.

Në momentin kur Policia kishte lokalizuar Graishtën në një objekt ndihmës pranë shtëpisë, ai mbante dy armë zjarri – një pushkë gjysmë automatike dhe një pistoletë – dhe refuzonte të dorëzohej, duke paraqitur rrezik për jetën e policëve dhe për të vetë.

Vetëm pas disa orësh negociata, i dyshuari pranoi të dorëzohej, ndërsa në vendin e ngjarjes u sekuestruan një arsenal armësh: një pushkë gjysmë automatike kalibër 7.62 mm, një pistoletë Zoraki M906T kalibër 7.65 mm, 24 fishekë 7.62 mm, 7 fishekë 7.65 mm dhe 9 gëzhoja.

Përveç akuzës për dhunë në familje dhe lëndim trupor, ndaj tij tashmë është iniciuar edhe vepra penale “Mbajtje në pronësi apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Graishta është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë.

Lexo edhe:  Vdekja tragjike e 17-vjeçarit në ashensor, 43 vjeçari: Pajisjen e montova para 4 vitesh, nuk është kontrolluar më