Ky është i dyshuari për të shtënat me armë në lagjen ‘Qëndresa’, e sulmoi borxhliun për 50 euro

Konflikti për borxh mes dy të rinjve eskaloi ditën e djeshme në përdorim të armës në lagjen Qëndresa në Prishtinë. I dyshuari për rastin e ka sulmuar viktimën dhe ka shtënë me armë zjarri, çka i kushtoi me arrestim dhe ndalim policor.

Rastin e ka konfirmuar Policia Rajonale në Prishtinë, ndërsa Sinjali ka mësuar detaje të reja.

Siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta Sinjali i dyshuari për rastin është Erblin Krasniqi, 28-vjeçar.

Bazuar në informacionet e para, Krasniqi i ka shkuar viktimës te shtëpia në lagjen Qëndresa për shkak të një borxhi prej 50 euro që dyshohet se viktima i kishte marrë hua nga ai.

Mosmarrëveshja momentale dyshohet se eskaloi në dhunë, ku i dyshuari e ka goditur me grusht viktimën e më pas ka shkrepur armën disa herë në tokë.Rasti është denoncuar menjëherë në Polici dhe njësitet përkatëse kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar gëzhojat.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku edhe është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Memli Krasniqi dhe Uran Ismaili vizitojnë Thaçin e Veselin në Hagë