Ky është i dyshuari për shitblerje të drogës në Prizren, u kap mat me rreth 30 doza kokainë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Për një rast të tillë është arrestuar gjatë ditës së djeshme një person në Prizren.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Egzon Mustafa, 26-vjeçar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Mustafa u kap në flagrancë pasi një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Sahat Kulla’ ka ndalur për kontroll veturën që po e drejtonte i dyshuari.

Gjatë kontrollit, të riut i janë gjetur rreth 30 doza me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërkohë që Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në rrugën ‘Kaçaniku’, por që nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e Mustafës dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale.

Gjatë kontrollit në trup  dhe në veturën e të dyshuarit mashkull kosovar  i është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike  e llojit marihuanë në peshë 6.20 gramë,  10.14 gram Kokainë , 1100 € para të gatshme, një telefon  dhe veturën tij.  I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.