Ky është i arrestuari për shantazh në Skenderaj, zbulohet se kërkoi 10 mijë euro për mospublikimin e një videoje

Hetimi me masa të fshehta që ka nisur rreth një muaj më parë lidhur me një rast të shantazhit që dyshohet se ka ndodhur në Skenderaj ka rezultuar me sigurimin e provave për përfshirjen e një 34-vjeçari në këtë rast. I dyshuari, i cili është pronar i disa faqeve që merren me lajme ka përfunduar në prangat e Policisë, gjatë ditës së mërkurë, raporton Gazeta Sinjali.

Kush është i dyshuari dhe cilat janë detajet e rastit,

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që ishte objekt hetimi lidhur me këtë rast është Tafil Smajli, i cili menaxhon portalet “Prishtina Sot” dhe “Skenderaj Press”.

Smajli u arrestua nga policia rreth një muaj pasi u denoncua nën dyshimet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kushtëzuar viktimën duke i kërkuar para në këmbim të mospublikimit të një materiali që ka poseduar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije bëhet fjalë për një video, që prish imazhin dhe integritetin e viktimës, për të cilën Smajli dyshohet se kishte kërkuar hiç më pak se 10 mijë euro që mos ta publikojë në faqet e tij.

Pas raportimit të rastit, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ku ndër të tjera janë aplikuar edhe masat e fshehta, që çuan në arrestimin e të dyshuarit.

I njëjti është shoqëruar gjatë ditës së djeshme në Polici, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, është urdhëruar masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor pritet të ushtrohet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Lexo edhe:  Sikleti i të burgosurve në Dubravë për drogë, gjendet sërish marihuanë – Policia nis hetimet