Ky është i arrestuari për fajde në Prizren, i dha para viktimës me kamata mujore mbi 100 mijë euro

Hetimi disa mujor i Policisë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, lidhur me një rast të fajdes, rezultoi me zhvillimin e një aksioni, ku u arrestua një person dhe u sekuestruan mijëra euro pa të gatshme. Personi që përfundoi në pranga është vetëm njëri nga anëtarët e grupit që dyshohen se funksionuan në bashkëveprim.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u ndalua për 48 orë është Ermal Krasniqi, 28-vjeçar, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.

Bazuar në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari dhe personat e tjerë me të cilët ka bashkëvepruar, në këmbim të borxhit, i kanë dhënë viktimës para me kamata që kapin shumën mbi 100 mijë euro.

“Që nga koha e pavërtetuar dhe në vazhdimësi – deri në muajin mars të këtij viti, në Prizren, “në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, për vete pranojnë dhe kontraktojnë shuma dukshëm jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personit të tillë, varfërinë dhe papërvojën e tij, në atë mënyrë që i japin viktimës para (të holla) në formë të borxhit me kamata të paligjshme (fajde), të cilat kamata vazhdojnë t’ia rrisin pandërprerë sa herë që viktima has në vonesa të kthimit të parave, me ç’rast secili nga të pandehurit në koordinim me njëri – tjetrin, e kontaktojnë rregullisht viktimën në telefon herë duke ia kërkuar paratë e herë duke i ofruar mundësi për të marrë sërish para me kamata të paligjshme duke i shkaktuar deri më tani dëme financiare mbi 100,000.00 € (Njëqind mijë euro), përkundër faktit se i njejti është detyruar të marrë një kredi në shumën prej 150,000.00 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë euro)”.

Lexo edhe:  BE publikon videot: Atmosfera brenda takimeve të Kurtit e Vuçiq me liderët evropianë

Gjatë operacionit policor, Policia ka sekuestruar rreth 9 mijë eurp dhe shuma të tjera në valuta të tjera.

“…megjithatë as ajo nuk i ka mjaftuar që  t’i kompensojë të pandehurit për paratë e marra me anë të kamatës së kundërligjshme – fajdes, me ç’rast pas ekzekutimit të urdhër kontrollit në shtëpinë edhe objektet përcjellëse të të pandehurit E.K, policia ka arritur të sekuestrojë të holla në shumën prej 8,935.00 € (Tetëmijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë euro); 580.00 CH (Pesëqind e tetëdhjetë franga zvicerane); 1,000.00 $ (Njëmijë dollarë amerikanë) dhe 17,700.00 Lekë shqiptare si dhe një automjet të markës ‘’AUDI’’, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.”

Brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.