Ky është hajni që vodhi qindra euro në dy markete në Prishtinë, bie në prangat e Policisë

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese.

Marketet shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje. Një ndër hajnat që ka bërë kërdi në disa markete brenda pak ditësh në Prishtinë është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Andi Rexhepin, 24-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje në dy markete, ku ka marrë mbi 300 euro para të gatshme dhe më pas është zhdukur.

Sinjali mëson se vjedhjet janë kryer në fillim të muajit mars, në një pikë të Viva Fresh dhe Albi market, të cilat i dyshuari i kishte cak.

Pas raportimit të këtyre rasteve, Policia e ka identifikuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion policor për intervistim. Ai ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për veprat me të cilat ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Lexo edhe:  Të pajisur deri në dhëmbë me armë e uniforma ushtarake – këta janë tre personat e dyshuar që Policia i arrestoi në Prizren