Ky është hajni që ka kryer vjedhje në markete të ndryshme në Prishtinë, kapet sërish nga Policia
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Bizneset e ndryshme shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje. Një ndër hajnat që jo rrallëherë ka rënë në prangat e Policisë, është arrestuar sërish.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Andi Rexhepin, 25-vjeçar, i cili dyshohet për plot vjedhje që kanë ndodhur nëpër markete të ndryshme në kryeqytet.
Sinjali mëson se i njëjti dyshohet edhe për një rast të vjedhjes që ka ndodhur në fund të muajit dhjetor në Prishtinë, ku në marketin ‘Albi’ në rrugën “Shkupi” ka arritur të avullojë produkte ushqimore dhe të zhduket.
Por edhe këtë herë, Rexhepi u zbulua nga kamerat e sigurisë dhe si ‘fytyrë’ e njohur për organet e rendit, Policia arriti ta arrestojë.
I riu është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për veprën me të cilat ngarkohet.
Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.
Ndonëse ka kryer gjithë këto vjedhje, Rexhepi sërish është lënë i lirë, vepër kjo të cilën e ka përsëritur në vazhdimësi, pasi autoritetet janë treguar dorëlirë ndaj tij, duke mos urdhëruar masë sigurie.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.