Ky është dilleri i drogës që u arrestua gjatë aksionit në Prizren, e pranoi se shet narkotikë
Aksioni i Antidrogës në Prishtinë e Prizren rezultoi me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të drogës dhe arrestimin e disa personave. Në Prizren fillimisht u kapën pesë persona të dyshuar, katër prej të cilëve pas shoqërimit në Polici u liruan, teksa i dyshuari kryesor u ndalua për 48 orë.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Visar Dubën, i cili u arrestua në rrugën William Voker, pasi u kap në flagrancë me substancë të dyshuar narkotike, të llojit marihuanë.
Ai dyshohet për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike, pasi gjatë kontrollit policor iu gjetën disa qese me marihuanë, peshore për matjen e narkotikëve, mulli për bluarjen e substancave të tilla, si dhe mbi 300 euro. Droga, paratë dhe gjësendet e tjera janë sekuestruar si prova gjatë hetimit të rastit.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari ka dhëne deklaratë para hetuesve policorë në lidhje me rastin dhe gjatë intervistimit e ka pranuar se është diller i drogës.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.