Ky është 30-vjeçari që u kap mat me thëngjill të vjedhur nga shiritat transportues të KEK-ut

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri. Rastet e vjedhjeve janë nga më të ndryshmet dhe jo çdo herë Policia arrin t’i kap të dyshuarit. Por ndryshe ndodhi dje pasdite në Obiliq, ku një person është arrestuar pasi u kap mat me thëngjill të vjedhur, raporton Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bëhet fjalë për Arianit Preniqi, 30-vjeçar, i cili dyshohet se ka vjedhur një sasi të thëngjillit të nxjerrë nga shiriti transportues të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Preniqi është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa kamioneta bashkë me thëngjill është sekuestruar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se është kapur duke e mbushur kamionetën e tij me thëngjill nga shiritat transportues të KEK-ut. Automjeti dhe thëngjilli janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Lexo edhe:  Safet Gjici kërkon lirimin nga burgu, avokati: Është në gjendje të rënduar shëndetësore