Ky është 22-vjeçari i arrestuar për 27 raste, mashtroi plot taksistë në Prishtinë
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme. Rastet e vjedhjeve, grabitjeve, mashtrimeve e vepra të tjera të ngjashme janë goxha të shpeshta. Për dhjetëra raste të tilla që dyshohet se kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, është arrestuar një person, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve, i riu i cili tashmë është ndaluar nga Policia për 48-orë, dyshohet për 27 vepra penale, si mashtrimi dhe shpërdorimet e pasurisë së huaj.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për 22-vjeçarin, Denis Maqastena.
Ai dyshohet se ka mashtruar disa persona, gjatë kryerjes së pagesave për shërbime dhe blerje, duke marrë nga ankuesit shuma të ndryshme të parave.
Pre e mashtrimeve të 22-vjeçarit kanë rënë kryesisht taksistët, ndërkaq hetimet policore në lidhje me këtë rast kanë qenë duke u kryer prej disa muajsh.