Kuzhinat humanitare në Mitrovicë dhe Pejë ushqejnë çdo ditë nga 500 persona të varfër

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, përmes kuzhinave popullore në Mitrovicë dhe në Pejë, ushqen në baza ditore mbi 500 qytetarë të vendit me kushte jo të favorshme ekonomike.

Kuzhinat humanitare popullore në këto dy qytete për çdo ditë me dashuri dhe vullnetin më të mirë përkujdesën që të servojnë ushqimet e llojllojshme për qytetarët që kanë nevojë për ushqim, duke ua servuar të gatshëm, por edhe duke ua mundësuar t’ua dërgojnë personave të tjerë të familjes.

Që nga viti 2013, kuzhina humanitare popullore në Mitrovicë, funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame të këtij qyteti, e cila përmes donatorëve të ndryshëm dhe bizneseve lokale arrin që të jetë pranë këtyre qytetarëve.

250 persona për çdo ditë shërbehen me ushqim të gatshëm nga kuzhinierët e kësaj kuzhine në Mitrovicë, e cila gjendet në qendër të qytetit.

Kurse, që nga viti 2016, ekziston edhe kuzhina e ngjashme humanitare popullore në qytetin e Pejës, e cila së fundmi është bërë edhe me objekt të ri, duke i plotësuar të gjitha kushtet për funksionim.

Kjo kuzhinë ushqen për çdo ditë nga 300 persona, të cilëve u mundësohet të ushqehen në objektin e kësaj kuzhine, por edhe duke marrë ushqimin me vete për personat e tjerë.

Kuzhina e cila përkujdeset për një numër të konsideruar të personave me kushte jo të mira ekonomike, funksionon në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, e që mbijeton falë bamirësve dhe bizneseve lokale që duan të mbajnë në këmbë këtë vepër humanitare.

Shoqata Humanitare “Bereqeti” që funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, synon që të rrisë numrin e personave që mund të ushqehen në këto kuzhina, por njëkohësisht është e angazhuar edhe në krijimin e kuzhinave të tilla në qytete të tjera të Kosovës.

Lexo edhe:  Vushtrriasi plagos veten në të dyja këmbët duke e pastruar armën e gjuetisë

Kuzhinat e tilla janë mirëseardhura për familjet me kushte të rënda ekonomike, duke u siguruar ushqim atyre, por edhe duke ua servuar të gatshëm për ta. “Bereqeti” së bashku me donatorët synon që asnjë prej qytetarëve të Kosovës të mos mbetet i uritur dhe të ketë shqetësimin ushqimin.