“Kushdo që vret polic të Serbisë e ka respektin tim” – Bekim Haxhiu nuk zmbrapset nga shkrimi për Faton Hajrizin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, së bashku me qindra mijëra qytetarë të Kosovës, dje mori pjesë në varrimin e Faton Hajrizit, i cili iu dha lamtumira e fundit në një ceremoni të mbajtur në Klinë të Ulët.
Ai shpërndau edhe fotografi gjatë ceremonisë së varrimit.
Por çka bie në sy është deklarimi i Haxhiut.
Ai tha se Faton Hajrizi është personi i parë shqiptar që shkoi nga Kosova dhe vrau një serb në territorin e Serbisë, duke nënvizuar se deri tek ky rast, të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë.
“Në Klinë të Ulët sot, në një organizim madhështor të ceremonisë së varrimit, së bashku me mijëra qytetarë, i dhamë lamtumirën e fundit Faton Hajrizit. Faton Hajrizi është shqiptari i parë që shkon nga Kosova dhe vret policë serbë në territorin e Serbisë. Deri tek rasti i Faton Hajrizit, të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë! Pusho në paqe, Faton! Ngushëllime familjes dhe miqve të Fatonit,” shkroi Haxhiu.
Ky deklarim i Haxhiu u kritikua shumë, mirëpo deputeti i PDK-së nga Skenderaj, duket se nuk është penduar fare për atë që tha dje.
Duke iu përgjigjur një komentuesi në llogarinë e tij në Facebook, Haxhiu ka shkruar sot:
“Policia e Serbisë ka vra e maskaru 1632 fëmijë shqiptar, mijëra civil të pafajshëm në Kosovë, Bosne e Kroaci, kush do që vret polic të Serbisë e ka respektin tim. Serbia ende nuk ka kërku falje për asnjë vrasje, as masakër qe ka kry në Ballkan”, ka shkruar sot Haxhiu.