Kush është “Kaça”, bosi shqiptar i kontrabandës në veri i arrestuar dje
Besim Zeqiri i njohur me nofkën “Kaça” është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm. Përpos tij janë arrestuar edhe katër persona të tjerë në rrethinën e komunës së Zubin Potokut.
Gjatë këtij rasti po ashtu ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri. Ngjarja, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka filluar pas tentimit për ndalim të disa veturave.
Veturat në fjalë dyshohet se po kontrabonin mallra, përderisa Elashni ka thënë se zyrtarët e PK-së kanë arrestuar pesë të dyshuar e kanë konfiskuar një kombi e tri vetura.
Tutje ai ka thënë se hetimet rajonale po merren me rastin, i cili është cilësuar si sulm ndaj personave zyrtar, posedim narkotikësh dhe kontrabandim me mallra.
“Si rezultat i aktiviteteve policore në brezin kufitar, më 11.08.2023, rreth orës 03:20, bazuar edhe në informata që ka poseduar policia, ka reaguar në fshatin Kovaç (Farkëtarët), zona e përgjegjësisë e Stacionit Policor Kufitar-Jasenovik. Në këtë rast janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kontrabandë me mallra dhe sulëm ndaj personit zyrtar, ndërsa një person i dyshuar ka arritur të shmanget arrestimit dhe është larguar në drejtim të panjohur. Për vënë situatën nën kontroll, për të evituar sulmin e mëtejmë dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj zyrtarëve policorë, janë përdorur pajisjet zyrtare konkretisht armët e zjarrit nga zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast”, njoftoi PK.
Kush është Besim Zeqiri – Kaça?
Besim Zeqiri ishte njëri nga pesë personat për të cilin Policia e Kosovës në tetor të vitit 2021 kishte kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij.
Ai dyshohej se merrej me kontrabandë me mallra të cilat hynin nga Serbia në Kosovë në mënyrë të paligjshme.‘Kaça’ tashmë është person i njohur për Policinë e Kosovës.
Ai në vitin 2018 ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për disa vepra penale pas disa vitesh të qëndrimit në arrati, por më pas ai ishte liruar.
Ndërsa, së në muajin gusht të vitit 2021, ai i ishte arratisur Policisë së Kosovës dhe ndjekja e tij ishte bërë në Zveçan.
Gjatë ndjekjes së tij ishin lënduar edhe disa zyrtar policor.