Kurti: Lidhja jonë me Shqipërinë, përveçse historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike

Është përuruar sot rruga ndërkufitare Gorozhup (Has i Prizrenit) – Pogaj, projekt që vjen në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, me vlerë prej afër 1 milion euro dhe gjatësi prej 3.7 kilometrash.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili e vlerësoi këtë rrugë si të rëndësishme për banorët e zonës, duke theksuar gjithashtu ndikimin që ajo ka në zhvillimin e turizmit malor e kulturor për të dy shtetet e të njëjtit komb.

“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë edhe zhvillimit ekonomik edhe historisë sonë kombëtare. Pas përfundimit të rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapot, e cila ishte me vlerë prej 2.6 milionë euro, kjo rrugë që inauguruam sot, Gorozhup-Pogaj është në vlerë prej afër 1 milion euro dhe me gjatësi prej 3.7 kilometra. I lidhë këto fshatrat, Gorozhup edhe Pogaj, që historikisht kanë qenë një dhe të cilat i bashkojnë familja, tradita dhe jeta e përditshme. Pra, lidhja jonë me Shqipërinë, përveçse historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, e pikërisht kjo rrugë që e inaugurojmë sot është një dëshmi për hapat konkretë në drejtimin e duhur”, citohet të ketë thënë Kurti, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Lexo edhe:  Dhuna në familje s’ka të ndalur: I riu nga Drenasi e bën për spital gruan, përfundon në ndalim