Kurti, Konjufca e Sveçla i shkojnë në konak Hetemit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i kanë shkuar në konak kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit.
Kurti theksoi se Hetemi u tregoi për punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, për rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar.
“Para tri ditëve, kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, doli nga zyra e tij dhe e vizitoi kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiqin. E ky ia ktheu sonte vizitën në shtëpinë e Lulzimit ku ishin mbledhur familja e gjerë e tij. Me Erdenin ishim edhe ne: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe, unë”, shkroi Kurti.
“Na njoftoi për aq shumë palë që i pret gjatë ditës, përditë, çdo orë. Ua dëgjon me vëmendje ankesat e kërkesat dhe i shqyrton ato me seriozitet e i trajton me shpejtësi. Serbishtja e tij nuk është aq e mirë, ashtu qysh nuk është e mirë as shqipja e serbëve në Leposaviq, mirëpo shumë mirë po merren vesh sepse e kanë qëllimin e mirë, interesimin e njëmendtë dhe interesin e përbashkët për mirëqenie dhe të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim. Lulzim Hetemi është udhëheqës i drejtë dhe punëtor”, shtoi tutjej shefi i qeverisë.
“Në festën e Vitit të Ri në gjirin familjar ishin edhe Kosovarja, vajza e Kryetarit, dhe Albaniku, të dy mbesë e nip të dëshmorës Fatime Hetemi, e që pardje u bënë pjesë e 325 rekrutëve të rinj të cilët iu bashkuan ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Ai theksoi se pasi e kanë përfunduar vizitën, Hetemi është kthyer në zyrën e tij në Leposaviq.
“Pas kësaj vizite sonte në familjen e Lulzim Hetemit, ne u kthyem në Prishtinë për të vazhduar festën, ndërkaq ai u nis për në zyrën e tij në Leposaviq për të punuar dhe festuar me disa kolegë të tij si dhe me policët tanë e ushtarët e KFOR-it amerikan”.
“Viti 2023 ishte fort i veçantë për Lulzim Hetemin: nuk ia ka marrë mendja që do të bëhet kryetar komune e mandej aq më pak që do ta pres ndërrimin e motmoteve si kryetar komune. Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është kryetari më i rëndësishëm, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm i komunës. Gëzuar 2024!”.