Kurti e “ndreq” me një gotë raki (Video)
Ndreqe” pak edhe mbrojtjen e afërt, kryeministër! Gëzuar!
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në ditën e dytë të konferencës “Diaspora Flet” që u mbajt në Klan Arena, ku është diskutuar rreth asaj se si të nxiten mënyrat e bashkë-krijimit për përmirësimin dhe forcimin e raporteve ndërmjet biznesmenëve të suksesshëm nga diaspora me vendin e tyre amë.
Pas konferencës, Kurti nën mbrojtjen e rreptë të sigurimit të tij, u ngjit shkallëve për t’i vizituar standet ku po reklamoheshin biznese të ndryshme, e të cilat ishin mbi 20 sosh. Ai u ndal në secilin veç e veç për t’u njoftuar me shërbimet që ato biznese ofrojnë, ku më pas nuk refuzoi edhe t’i shtrëngojë duart dhe shkrepë “selfie” me përfaqësuesit e tyre.
Madje kur mbërriti te pika ku po reklamohej alkooli, ai u pyet nëse dëshiron që “t’ia prishë me një gotë raki?” të cilës Kurti iu përgjigj pozitivisht me: “Me ndreq, po mendon?”, gjë e cila ngjalli të qeshura.
Gjatë gjithë kohës, Kurti u duk i disponuar teksa bisedonte me qytetarë dhe shkrepte fotografi – gjë që linte të nënkuptohej se kishte kohë dhe së në fund të paktën, do ta bënte një prononcim para gazetarëve.
Por, ishte mbrojtja e tij e afërt ajo që nuk lejonte që gazetarët t’i afroheshin shefit të ekzekutivit, njëkohësisht shefit të tyre të drejtpërdrejtë.
Pasi që aty nuk arrita ta marr një prononcim prej tij, kur u duk se takimi i tij me përfaqësues biznesesh ka përfunduar, mora që të dal jashtë ndërtesës së Klan Arena për ta pritur Kurtin, aty ku e prisnin të gjithë gazetarët e tjerë për t’u prononcuar.
Mirëpo aty u pengova nga mbrojta e tij e afërt edhe pasi i njoftova se jam gazetar. Madje duke zbritur shkallëve, njëri prej tyre më shtyu – nuk po them se më shtyu për të më rrëzuar – por më shtyu edhe pse nuk kishte kurrfarë arsye për ta bërë një gjë të tillë pasi që unë isha nisur të dal jashtë ndërtesës, ndërsa kryeministrin Kurtin e kisha lënë pas.
Pastaj kur unë kërkova butësisht që të mos shtyhem shkallëve, një tjetër më pyeti se “a ka ndonjë problem?”. Unë iu përgjigja me “jo, nuk ka kurrfarë problemi”. U përgjigja kështu për të mos provokuar, kur në thelb problemi ishte sjellja dhe qasja e mbrojtjes së afërt të kryeministrit ndaj një gazetari.
Tetë ditë më parë, gazetari Kosovë Gjoci u ankua se njëri nga stafi i mbrojtjes së afërt të kryeministrit Kurti e ka shtyrë dhe ia ka hedhur në tokë të gjitha pajisjet përcjellëse të punës së gazetarit. Madje sipas tij, një tjetër person nga po stafi i mbrojtjes së afërt i ka thënë “kqyrëm mirë në sy e mbajëm në mend”.
E gjithë kjo mu kujtua para se t’i përgjigjem pyetjes “a ka ndonjë problem?”. Kishte me qenë mirë që vetë kryeministri ta mësojë mbrojtjen e tij se gazetarët nuk i ndjekin ngjarjet e tilla për “të shkaktuar probleme” por, për ta kryer punën e tyre – pra, për të raportuar dhe për të mësuar nëse ka zgjidhje për problemet me të cilat përballet populli.
E kuptueshme – mbrojtja e afërt është aty për t’i ofruar siguri Kurtit, por jo për t’i frikësuar njerëzit, në këtë rast gazetarët, pa pasur ndonjë shkas.
Ka shumë arsye pse gazetarët shkojnë nëpër ngjarjet ku i pranishëm është edhe kryeministri Albin Kurti, por një gjë është e sigurt – askush nuk shkon për të krijuar probleme! Në rastin më të mirë, shkojnë për të gjetur përgjigje nga “shefi” për hallet e qytetarëve.
“Ndreqe” pak edhe mbrojtjen e afërt, kryeministër! Gëzuar!