Kurti distancohet nga Osmani për deklaratën rreth incidentit në Shkup

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka zhvlerësuar në tërësi qëndrimin zyrtar të Presidencës së Kosovës për incidentin e ndodhur në aeroportin e Shkupit të Maqedonisë së Veriut në presidenten Vjosa Osmani. Ai kur është pyetur për dy vlerësime të presidencës, gjegjësisht “sulmin ndaj Republikës së Kosovës” dhe “tendencën për të shkaktuar aksident”.

Kurti, i pyetur lidhur me këto dy deklarime në reagimin zyrtar të Presidencës, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij maqedonas, Hristijan Micksoki, ka thënë se këtë mund ta ketë thënë ndonjë qytetar.

“Nuk e di që kemi pasur si institucione të republikës qëndrim të tillë. Mund ta ketë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo edhe institucionet e Republikës”, ka thënë Kurti ndër të tjera.

Pos tjerash, ai s’e ka përmendur në asnjë moment si qëndrim zyrtar të Republikës së Kosovës reagimin e Presidencës. Vetëm atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë deklaratën që paraqet qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin, pra le të zbardhet rasti. Janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë”, ka deklaruar ai.

Shefi i Qeverisë ka shfrytëzuar po ashtu ironinë për ta zgjatur deklaratën e tij lidhur me të njëjtën pyetje

“Kryeministri Mickoski dhe unë nuk mund ta bëjmë tash edhe zyrtarin doganor edhe policin hetues edhe inspektoratin e policisë, edhe atë që e mbikëqyrë aeroportin e kështu me radhë. Unë besoj që sa i përket thelbit të gjësë, tashmë jemi përgjigjur dhe masat do të ndërmerren”.

Presidenca e Kosovës në ditën kur ndodhi incidenti ka bërë një reagim zyrtar, që përfaqëson edhe qëndrimin e shtetit. Ata kanë pretenduar se sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin presidentes Osmani, gjë që sipas tyre bie ndesh me praktikat diplomatike. Tutje, ata kanë pretenduar se sigurimi ka tentuar ta pengojë fizikisht presidenten.

Lexo edhe:  Shërbimi Korrektues njofton për parandalim të kontrabandës në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan

“Nuk është e vërtetë se Presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës. E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj”, u tha në reagimin e Presidencës.

Presidenca në reagimin e tyre – pjesë e cila është zhvlerësuar në tërësi nga kryeministri Kurti, pavarësisht se paraqet qëndrimin e Republikës së Kosovës – e quajnë një veprim të tillë të sigurimit “sulm ndaj Republikës së Kosovës” dhe “provokim të pastër”.