Kurti akuzon opozitën për krizën politike: Po na xhelozojnë e lakmojnë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar sot partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas tij, “destruktiviteti opozitar” po ndodh për shkak të xhelozisë dhe lakmisë ndaj Vetëvendosjes, si dhe mospranimit të rezultatit zgjedhor.

Duke prezantuar, siç tha ai, kompromiset e bëra gjatë muajve të krizës politike, Kurti deklaroi se “opozitarët as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen”.

Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkohë që Kosova ende nuk ka arritur të themelojë institucionet e reja.

Që nga 27 korriku, Gjykata Kushtetuese ka vendosur një masë të përkohshme për shkak të dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë deri më 26 korrik – afat i përcaktuar nga aktgjykimi i parë i kësaj gjykate. Masa e përkohshme është e vlefshme deri më 8 gusht.

“Subjekti ynë politik sot ka një numër deputetësh që janë më shumë sesa i dyti dhe i treti marrë së bashku. Si subjekt bindshëm fitues, kemi marrë përgjegjësitë tona që të prijmë në themelimin e institucioneve tona, si të Kuvendit ashtu edhe të Qeverisë. Por destruktiviteti opozitar ndaj themelimit të institucioneve të Kosovës, që në bindjen time ka xhelozinë dhe lakminë ndaj Lëvizjes sonë, në fakt është mospranim i rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit. Këtu ka një kundërthënie të madhe opozitare – ata për më shumë se katër vjet kanë folur zi e terr për qeverisjen tonë të mirë dhe demokratike dhe tani nuk po duan të konstituojnë Kuvendin, në mënyrë që eventualisht të ndryshojnë këtë qeveri që i prijmë”, tha Kurti.

Ai theksoi se LVV ka dërguar dy herë ftesë për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit i ka refuzuar. Ndërkohë, negociatat me Nismën, e cila ka tre deputetë, nuk kanë sjellë dakordim, pasi kërkesa e partisë së Fatmir Limajt ishte posti i kryetarit të Kuvendit.

Lexo edhe:  Flet një nga të plagosurit: Kishim veshur rroba të Krishtlindjeve, s’e di pse na gjuajtën

“Përtej këtij bojkoti dhe sabotimi që për kaq muaj i bëri opozita themelimit të institucioneve, ne në vazhdimësi kemi qenë duke dhënë propozime dhe bërë kompromise në mënyrë që ato të themelohen sa më parë. Siç thotë edhe populli ynë, këta as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen. Të gjitha këto nuk i kanë bërë për shtetin, por për pak pushtet për vete. Ata nuk e kanë problemin me Albulenën, por me popullin që nuk u dha besimin dhe kanë problem me LVV-në që përfundimisht ua ka ndalur përfitimet e paligjshme dhe pasurimin privat, zhvatjen në dëm të interesit publik. Katër vjet për ta kanë qenë shumë, por më rëndë po bëhet kur mendojnë se kjo do të zgjasë edhe më shumë. Në këtë siklet nuk i ndihmojmë, pasi jemi zotuar se kjo politikë nuk kthehet më”, tha Kurti.

Deklaratat e tij u bënë gjatë nominimit zyrtar të Hajrulla Çekut si kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës.

“Në zgjedhjet lokale duhet të fokusohet energjia dhe vëmendja jonë. Komunat, por posaçërisht Komuna e Prishtinës, është tejet e rëndësishme për t’u qeverisur nga ne. Jo sa për t’u qeverisur, por nga përvoja në qeverisjen qendrore, ju them me bindje të plotë se sabotimi politik që u bëhej projekteve tona – nga çerdhet e deri te banimi i përballueshëm social – dhe kësisoj privimi i qytetarëve për të përfituar nga këto projekte, është i dhimbshëm.”, theksoi Kurti.