“Kur t’vish kom me t’mbytë krejt”: 24-vjeçarja në Lipjan denoncon burrin, kunatin dhe vjehrrën për dhunë

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje pasdite edhe një grua në Lipjan, e cila ka deklaruar se ka pasur konflikt me bashkëshortin, vjehrrën dhe kunatin e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 24-vjeçarja ka deklaruar se me kunatin dhe vjehrrën ka pasur vetëm konflikt verbal, ndërsa i shoqi muaj më parë dyshohet se e ka sulmuar edhe fizikisht.

Bazuar në dëshminë e saj, ka qenë e frikësuar që ta raportojë rastin ditën që ka ndodhur dhe e njëjta ka shpresuar se do përmirësohen raportet mes tyre.

Sipas viktimës, i shoqi e ka kërcënuar me jetë derisa ajo ishte për vizitë te familja e saj, duke i thënë se posa të kthehet në shtëpi do ta mbys.

Ajo nuk është ndjerë e sigurt të kthehet në shtëpinë ku bashkëjeton me bashkëshortin dhe ka vendosur që të shkojë te prindërit e saj.

Ndërkohë si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Pas një sëmundje të rëndë vdes i riu nga Skenderaj