Ku dhe si i gjeti policia kamerat e institucioneve të sigurisë serbe në veri?

Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe dy persona të tjerë, nën dyshimin për vendosjen e kamerave ilegale të kamufluara në një kondicioner në ndërtesën afër shkollës teknike në Lagjen e Boshnjakëve në veri. Derisa njohësit e sigurisë vlerësojnë se Serbisë po i humb ndikimi në veri çdo ditë e më shumë.

Plani ka qenë të vëzhgohet çdo lëvizje.  Jo vetëm të qytetarëve, por edhe institucioneve të sigurisë.

E çdo gjë ishin në monitorim nga shteti fqinj.

Kësisoj kamerat, përveç synimit për të kontrolluar dy hyrje dalje të pjesës veriore, cak kishin edhe lëvizjet e zyrtarëve policorë të kësaj pjese, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë.

“Njëra kamerë ka qenë duke e verifikuar dhe duke vëzhguar rrugën nga Shkolla Teknike deri tek ETC-ja, poshtë urës lindore, që i bie me i verifikua dhe vëzhgua hyrje-daljet tona, lëvizjet tona të policisë në aspektin ndërkombëtar, partnerëve tonë ndërkombëtar. Dhe kamera tjetër, këtu afër stacionit të autobusëve, që verifikon edhe i vëzhgon lëvizjet tona tek kërshi i Dudës, që i bie kryqi i rrugëve Mitrovicë së Jugut, Leposaviq dhe rruga për Mitrovicën e Veriut. Si lokacione kanë qenë të ndjeshme për neve”, tha zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Nga policia, konfirmuar se për këtë rast janë duke u intervistuar edhe dy persona të tjerë të nacionalitetit serb.

“Në bashkëpunim me AKI-në, ne i kemi gjetur këto dy lokacione dhe i kemi larguar këto kamera të cilat ishin të kualitetit mjaft të mirë. Dje i kemi pas dy persona me të cilët kemi zhvilluar intervistë, kemi intervistua disa të tjerë, sot i kemi sjellë në stacion dy persona të cilët janë në interes për neve”, tha Elshani.

Lexo edhe:  Aksident me fatalitet afër në rrugën Prishtinë-Gjilan, humb jetën një 49 vjeçar

Me këto veprime të institucioneve të Kosovës në katër komunat veriore, sipas njohësit të sigurisë, Arben Dashevci, po ngushtohet ndikimi i Serbisë në këtë pjesë të vendit.

“Është vërtetuar se Serbisë iu kanë ngushtuar rrugët në Republikën e Kosovës, sepse thjesht neve na ka ndodhur Bansjka. Kurrë më nuk do të jetë asgjë e njëjtë në Republikën e Kosovës. Të gjithë ata që cenojnë ta rrezikojnë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues, do ta pësojnë gjithmonë, sepse nuk kanë vend. Janë institucionet kredibile”, tha Dashevci.

Për këtë aksion të Policisë, ministri i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në reagimin e tij në Facebook, ka thënë se mekanizmat e Beogradit për spiunazh në Kosovë, do të luftohen me çdo kusht./teve