Kthimi në rigjykim i rastit të Marigonës, familja e Liridona Ademajt: Rastet tjera të gjykohen shpejt dhe pa gabime

Familjarët e të ndjerës, Liridona Ademaj, e cila u vra më 29 nëntor të vitit të shkuar, kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të kthyer në rigjykim rastin e vrasjës së 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.

Në reagimin e familjes që u publikua në llogarinë e vëllait të të ndjerës, thuhet se me dhimbje po i ndjekin informacionet për gjykimet e vrasjeve të vajzave që janë bërë me gabime e që çojnë në rigjykim.

“Sot tre muaj që kur se na e kanë vrarë Liridonen tonë.

Dhimbja sa vjen e shtohet e neve na mban shpresa që drejtësia nuk do të vonojë.

Derisa e vajtojmë vajzën dhe motrën tonë, me dhimbje të thellë po i ndjekim informacionet për gjykime të vrasjeve të vajzave që janë bërë me gabime që çojnë në rigjykime apo edhe për raste kur gratë janë abuzuar fizikisht dhe dhunuesit enden të lirë ose reklamohen publikisht”, thuhet në postimin e familjes Ademaj.

Ata shpresojnë që rasti i Liridonës dhe rastet tjera të gjykohen shpejt dhe pa gabime.

“Ne bashkëndjejme me të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre. Shpresojmë që rasti i Liridonës dhe rastet tjera do të gjykohen shpejtë dhe pa gabime.

Vrasësit e grave e kanë vendin në burg, të mbyllur dhe larg syrit të publikut”, thuhet më tej në reagim.

Liridona Ademaj dyshohet se u privua nga jeta me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murseli. Ky i fundit bashkë me dy të dyshuarit tjerë, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, janë në masën e paraburgimit.

Në anën tjetër, Gjykata e Apelit ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, lidhur me rastin e vrasjes makabre të 18-vjeçares, Marigona Osmani, për çka ishin shpallur fajtorë Dardan Krivaqa, i dënuar me burg të përjetshëm dhe Arbër Sejdiu, i dënuar me 15 vjet heqje lirie, duke kthyer rastin në rigjykim.

Lexo edhe:  Vdes veterani i UÇK-së, Hashim Krasniqi nga fshati Zhilivodë i Vushtrrisë

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.