Kryeprokurori i Speciales: Kemi ngritur akuza në raste të profilit të lartë, raste të tjera janë në proces

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se kanë qenë të “palëkundur” në punën e bërë këtë vit.

Duke folur për punën e Prokurorisë, ai foli për angazhimin e këtij organi të ndjekjes.

Bashkkpunimi me partnerë ndërkombëtarë, Isufaj tha se “ka qenë një shtyllë themelore” në punën e Prokurorisë Speciale sivjet.

Isufaj kujtoi se gjatë këtij viti u ndoqën me akuza raste të profilit të lartë, ndërsa paralajmëroi se raste të tjera janë “në proces”.

“Gjatë këtij viti kemi ngritur akuza në disa raste të profilit të lartë, duke dëshmuar që askush nuk është mbi ligjin dhe njëkohësisht kemi në proces edhe raste të tjera të nivelit të tillë të cilat janë duke u trajtuar me profesionalizëm dhe seriozitet të lartë”, tha kryeprokurori i Speciales.

Ai tha se synimi i Prokurorisë Speciale është promovimi i barazisë para ligjit dhe të sigurojnë që “secili qytetar i Kosovës të ndihet i barabartë para ligjit”.

“Puna jonë këtë vit ka qenë në harmoni me prioritetet e shprehura në raportet dhe rekomandimet ndërkombëtare”, tha Isufaj.

Për vitin e ardhshëm, Isufaj përmendi synime dhe objektiva “të qarta” për ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës dhe terrorizmit “duke përfshirë hetime proaktive dhe bashkëpunim ndërinstitucional më të efektshëm”.

Lexo edhe:  Arrestohet një person në Zubin Potok, u bë shtetas kosovar me dokumente fals