Kryeministri Kurti i ftuar si dëshmitar, a do paraqitet sot në Prokurorinë Speciale

Kryeministri Kurti i ftuar si dëshmitar, a do paraqitet sot në Prokurorinë Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ftuar për të dëshmuar sot në Prokurorinë Speciale lidhur me skandalin e rezervave shtetërore dhe dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Kjo ftesë i shkoi Kurtit disa muaj pas intervistimit të Ridvan Muharremit dhe Rozeta Hajdarit në cilësi të të dyshuarve për çështjen e rezervave shtetërore.

Qeveria e Kosovës njoftoi, por nuk sqaroi se për cilin rast e ftoi Prokuroria Speciale e Kosovës kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në datën 16 dhjetor.

Kurti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.

Në përgjigje, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kërkoi Kurtit që “të përmbahet nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese”.

Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.

Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje.

Opozita kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, por ajo mohoi se ka arsye për një gjë të tillë.

Ndryshe, në thirrjen e Speciales thuhet se dëshmitari detyrohet t’i përgjigjet thirrjes më 16 dhjetor në orën 9:30.

“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro.

Lexo edhe:  Jakup Krasniqit i përkeqësohet gjendja në seancë, kërkon të largohet nga gjykimi

Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”.