Kryefamiljari iu vdiq në vendin e punës, familja paditë kompaninë

Kamber Bytyqi nga Prizreni vdiq në vendin e tij të punës më 12 tetor 2017. Bytyqi punonte në ndërtimtari.

Driton Bytyqi, djali i viktimës, në emisionin #KallxoPernime, ka rrëfyer për ngjarjen.

Ai për vdekjen e babait thotë se kishte dëgjuar nga kolegët e tij.

“Pajisje nuk kanë pasur sepse s’kanë shumica e firmave, por aty ka qenë neglizhencë sepse komplet 6 kate kanë qenë pa mbrojtëse, komplet e hapur, e ajo është dashur të mbyllet”, rrëfen djali i viktimës.

Vdekjet e tilla tragjike në vendin e punës, Dritoni thotë që janë shumë të dhimbshme por sipas tij kjo mund t`i ndodh çdo kujt.

“E kena marr shtruar, me qetësi, janë gjëra që ndodhin, por ka mundur të evitohet, këtë e ka dëshmu edhe gjykata. Po të ishte puntoria e mbyllur siç thash unë, babai do të ndalej në katin poshtë”, rrëfen djali i viktimës.

Driton Bytyqi ka ngritur padi ndaj kompanisë ku punonte dhe i vdiq babi.

“Padinë e kam ngritur pas 6-7 muaje masi nuk më janë përgjigjur financiarisht edhe pse nuk është bërë asgjë rreth kësaj çështje ende”, thotë Dritoni.

Kamber Bytyqi mbante familjen me punën që bënte.

“Babi u kanë kryefamiljar unë kam qenë student, vëllai edhe punonte nganjëherë edhe studionte por rrjedha e jetës ndryshoi” thotë ai më tej.

Ai u bën thirrje institucioneve kompetente që të marrin masa lidhur me këto raste.

Kamber Bytyqi kishte punuar jashtë vendit por ishte kthyer në Kosovë për shkak të rrethanave familjare.

Ndryshe në ditën e punëtorëve, pra më 1 maj është protestuar në kryeqytet, ku janë kërkuar kushte më të mira të punës.

Pagë minimale 450 euro, implementim të ligjeve në fuqi, nënshkrim të marrëveshjes kolektive, trajtim i barabartë i sektorit publik, rritja e numrit të inspektorëve të punës, fond për punëtorët që humbin jetën dhe lëndohen në vendin e punës janë disa nga kërkesat që Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat po kërkon nga Qeveria që të plotësohen.

Lexo edhe:  Parandalohet një rast kontrabandimi me kafshë, arrestohet një person

Nëse kërkesat nuk plotësohen, punëtorët gjatë protestës së sotme, paralajmëruan se do të largohen nga vendi.

Në hulumtimin e “Trajtimi i rasteve të të drejtave të punëtorëve nga Inspektorati i Punës dhe i Gjyqësorit”, realizuar nga hulumtues të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), shpërfaqet niveli i ulët të sigurisë së punëtorëve në vendin e punës.

Ndërsa në raport, hulumtimi i BIRN nga gjetur probleme dhe sfida në paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në punë.

Si pasojë e aksidenteve në punë, nga viti 2011 e deri në gjysmën e vitit 2022 nga aksidentet në punë kanë vdekur 145 punëtorë. Të dhënat tregojnë që veprimet e institucioneve nuk kanë arritur të ndikojnë në uljen e vdekjeve pasi numri i vdekjeve është rritur vit pas viti.

VIDEO