Krimet Ekonomike zbarkojnë në shtatë barnatore në Prishtinë, zbulohet sasi e madhe e barnave pa banderola

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovë, në asistim me Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë zbarkuar sot në shtatë barnatore në Prishtinë, ku janë kryer kontrolle nën dyshimin se po bëjnë shitjen e produkteve farmaceutike të kontrabanduara, të cilat paraqesin rrezik për qytetarët, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se pas kontrolleve që janë kryer në barnatoret ku dyshohej se kryhej kjo veprimtari, në dy prej tyre është zbuluar sasi e madhe e barnave pa banderola, të cilat u gjetën të fshehura në disa pjesë të lokaleve dhe dyshohen se ishin kontrabanduar.

Në këtë aksion policor, përveç Policisë dhe Inspektorëve, kanë intervenuar edhe njësitë e Doganës së Kosovës, me ç’rast janë sekuestruar të gjitha barnat që dyshohen se janë kontrabanduar.

Përveç sekuestrimit të këtyre produkteve, si persona të dyshuar janë arrestuar dy pronarët e dy barnatoreve, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, lidhur me rastet për të cilat dyshohen.

Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprat penale “Kontrabandim i mallrave’’ dhe ‘’Tregtia e ndaluar’’, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.

Lexo edhe:  Policia me aksion në Skenderaj, cak lokali ku luhej bixhozi