Kreu i “Dardanëve” mohon ta ketë ofenduar kapitenin Rrahmani
Lulzim Berisha, kryetar i tifo-grupit “Dardanët”, ka mohuar ta ketë ofenduar pas ndeshjes kapitenin Amir Rrahmani, ndonëse pamjet nuk tregojnë një gjuhe shoqërore të “Lulit”.
Berisha e ka quajtur thjeshtë diskutim bisedën me Rrahmanin, teksa ka mohuar të ketë probleme me ndonjërin nga futbollistët.
“Nuk ka pasur asnjë diskutim tjetër përveçse të afrohet dhe t’i përshëndetë tifozët. Nuk kam pasur, jo me Amirin, por me askënd. Shihet qartë se ka qenë vetëm diskutim me kapitenin për të qenë afër njerëzve që bëjnë çmos për ta nga viti 2016. E di e gjithë Kosova e po ashtu edhe kapiteni jonë. Luli dhe ‘Dardanët’ janë për çdo lojtar që e djersit fanellën, sepse nuk kemi me askënd asgjë. Kemi dashuri për të gjithë lojtarët”, ka thënë Berisha për Kohën, transmeton Paparaci.
Futbollistët e Kosovës kishin shkuar të festonin pas ndeshjes me “Dardanët”, por kapiteni nuk u prit në mënyrën më të mirë të mundshme.
Nga video e publikuar në rrjetet sociale, “Luli” dukej se i kishte thënë diçka Rrahmanit, gjë që e detyroi atë të largohej nga pjesa e tifozëve.
Kosova shënoi fitore me rezultat 3:0 përball Qipros, duke arritur kështu kuotën e nëntë pikëve në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.