Krerët e institucioneve të Kosovës urojnë Fitër Bajramin, bëjnë thirrje për paqe, tolerancë e solidaritet

Myslimanët në Kosovë dhe në mbarë botën, sot po e festojnë Fitër Bajramin, festën që shënon përfundimin e agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit në Kosovë, si çdo vit, edhe kësaj here u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo festë po shënohet edhe me aktivitete të ndryshme shoqërore, ku theksohet vlera e solidaritetit dhe ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë.

Këtë Bajram, nuk kanë munguar as urimet e krerëve të institucioneve të Kosovës, të cilët kanë shpërndarë mesazhe të ngrohta për besimtarët myslimanë, duke iu bërë thirrje qytetarëve për paqe, mirësi dhe tolerancë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në urimin e saj ka theksuar se kjo festë shënon përmbylljen e një muaji të sakrificës, devotshmërisë dhe reflektimit, duke rikujtuar vlerat e mirësisë dhe solidaritetit që Fitër Bajrami përcjell.

“Bajrami është festë e mirësisë dhe e solidaritetit, një moment për ta ndarë gëzimin me familjen, miqtë dhe ata që kanë më shumë nevojë për dashuri dhe mbështetje. Le të shërbejë kjo ditë si një rikujtim se durimi, përkushtimi dhe zemërgjerësia janë vlera që duhet të na udhëheqin gjithnjë”, ka shkruar ajo.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në urimin e tij, ka bërë thirrje për rikthim te vlerat më të pastra njerëzore, siç janë dashuria, mëshira dhe solidariteti.

Ai ka thënë se uron që kjo ditë e shënuar të sjellë shëndet, begati dhe harmoni në familjet e të gjithë qytetarëve.

“Gëzuar Fitër Bajramin për juve edhe familjet tuaja! Ju përcjellshin gjithmonë shëndeti, mirësia dhe begatia. Qoftë ky muaj rikthim te vlerat më të pastra njerëzore: dashuria, mëshira dhe solidariteti. Uroj që agjërimi i Ramazanit të jetë bërë ripërtëritje e trupit, kthjellim i mendjes dhe pastrim i shpirtit”, ka potencuar Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Lexo edhe:  Pamje nga aksidenti i rëndë në Lluzhan, ku u bën për spital 2 persona

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, iu ka kërkuar qytetarëve të Kosovës që të shfrytëzojnë këtë festë për të forcuar lidhjet ndërmjet tyre dhe për të kultivuar bashkëjetesën e paqen.

Ai iu ka bërë thirrje të gjithëve të mbështesin njëri-tjetrin, në mënyrë që të ndërtojmë një shoqëri më të fortë dhe të bashkuar.

“Mësimet e sakrificës përgjatë muajit të Ramazanit, që kulmojnë sot në këtë ditë festive e që vijnë me sprovën e kaluar suksesshëm, skalisin shpirtin dhe fuqizojnë virtytin, e me to ecim më të fortë përpara në shoqërinë tonë, ku zë vend gjithnjë e më shumë solidariteti dhe përkujdesja gjithnjë e më e shtuar ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë për të”, ka shkruar mes tjerash Konjufca.

E në ligjëratën gjatë faljes së namazit të Fitër Bajramit, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pati një apel për të gjithë, duke bërë lutje për paqe dhe tolerancë.

Ai gjithashtu u shpreh në lidhje me ngjarjet e dhunshme që tronditën vendin gjatë muajit të Ramazanit, duke kërkuar që të ndalet dhuna dhe të respektohet jeta njerëzore.

“Pavarësisht motiveve dhe rrethanave, në Islam vrasja është një akt i ndaluar dhe i shëmtuar, ndër gjynahet më të mëdha. Feja islame i jep shumë rëndësi jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj”, ka deklaruar Tërnava.

Si tradicionalisht, edhe sot Bashkësia Islame e Kosovës organizoi pritje përurimi në selinë e Kryesisë, ku për vizitë shkuan Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, presidentja Osmani, kryeministri Kurti, e liderë të tjerë të subjekteve politike dhe institucioneve tjera.