Krenari: 23-vjeçarja nga Kosova shpallet Gruaja e Vitit për Siguri Kibernetike në SHBA
Dredhza Braina është shpallur fituese e çmimit prestigjioz “Global Cybersecurity Woman of the Year” në kategorinë “Barrier Breaker”, duke e vendosur Kosovën në vendin e parë në këtë garë ndërkombëtare.
Lajmin e ka ndarë vetë ajo përmes një postimi në Facebook, ku ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë nga familja, miqtë dhe komuniteti gjatë gjithë rrugëtimit të saj profesional.
“Ky çmim nuk është vetëm për mua, është për të gjithë ata që janë përballur me sfida, por nuk janë ndalur – kanë thyer heshtjen dhe kanë thyer barrierat”, ka shkruar Braina.
Ajo ka falënderuar organizatorët e çmimit dhe jurinë ndërkombëtare, si dhe ka vënë në pah rëndësinë e platformave që fuqizojnë gratë në fushën e sigurisë kibernetike. Çmimi “Barrier Breaker” vlerëson gratë që kanë tejkaluar pengesa të mëdha për të arritur sukses në fushën e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike.