Krejt çka u sekuestrua në familjen Gërbeshi në Vushtrri: Armë, fishekë, telefona e dokumente
Një operacion i madh policor është zhvilluar dje në Vushtrri, ku katër persona të familjes Gërbeshi janë arrestuar dhe u janë sekuestruar armë, municion dhe pajisje të ndryshme, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është trajtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas urdhëresës së Gjykatës Themelore – dega Vushtrri.
Operacioni është zhvilluar më 21 shtator 2025, ku janë kontrolluar tri lokacione: dy shtëpi në fshatin Ropicë dhe një biznes në Vushtrri. Si rezultat, janë arrestuar katër të dyshuarit: Avdullah Gërbeshi rreth 62-vjeçar, Rrahman Gërbeshi rreth 44-vjeçar, Emin Gërbeshi rreth 40-vjeçar dhe Kadri Gërbeshi rreth 51-vjeçar.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: Një armë e shkurtër me numra serik të dëmtuar dhe një karikator me 16 fishekë (2 të bllokuar), Një pistoletë Blow TR 14, kalibër 9 mm, me një karikator dhe 16 fishekë me gaz. 352 fishekë të kalibrave të ndryshëm (281 copë 7.62×25 mm; 36 copë 9×19 mm; 35 copë 7.65 mm), Dy karikatorë arme të shkurtër, Dy palë dylbi, Shtatë telefona celularë dhe tri SIM kartela, Një shkop druri, një palë dorëza dhe një thikë, Dokumente të ndryshme, përfshirë një deklaratë në emër të A. A., një pasaportë, një patentë shofer dhe një USB SanDisk, Një laptop, një palë patika të bardha dhe dy çelësa motori.
Tre nga të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe, me vendim të prokurorit të çështjes, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa i dyshuari i katërt, Kadri Gërbeshi, kishte urdhër arresti nga Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe pas arrestimit është dorëzuar njësive policore të Stacionit Policor Vushtrri.
Sipas urdhrit të prokurorit, rasti është iniciuar për disa vepra penale: “Mbajtja në posedim, kontroll të paautorizuar të armëve”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Detyrim”, “Kanosje” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.