Krejt çfarë duhet të dini për zgjedhjet e 9 shkurtit
Të hënën, subjektet politike në Kosovë janë pajisur me numra, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar hedhjen e shortit për renditjen në fletëvotime. Numrat e subjekteve politike në fletëvotime janë nga 111 deri në 138.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Në fletëvotim, qytetarët do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.
Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.
Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.
Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.
Këto janë përgatitjet e fundit të KQZ-së për zgjedhjet, teksa fushata zgjedhore do të nisë të shtunën, më 11 janar dhe për një muaj, partitë dhe kandidatët do të tentojnë t’i bindin votuesit që t’i zgjedhin ata.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 – dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit.
Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.
Sa është numri i votuesve?
Pas përfundimit të regjistrimit të votuesve jashtë vendit, KQZ-ja bëri të ditur se numri i votuesve për zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë 2 milionë e 75 mijë e 868 votues brenda dhe jashtë Kosovës.
Votuesit jashtë vendit, përveç votimit me postë, për herë të parë do të mund të votojnë në 17 ambasada dhe 15 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.
Votimi me postë nga jashtë vendit nis më 9 janar. Sipas KQZ-së, për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924. Nga ta, 20.399 janë regjistruar për votim fizik në ndonjë nga përfaqësitë diplomatike, të tjerët për votim me postë.
Ku do të mund të votojë mërgata e Kosovës?
Qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 9 shkurt 2025, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë në këto shtete:
Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Mbretëri të Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi, Zvicër.
Sikurse herëve të kaluara, edhe kësaj radhe pritet që të dihet shpejt renditja e partive në zgjedhje dhe qytetarët në kohë reale do të mund të shohin në ueb-faqen e KQZ-së rezultatet preliminare.
Kjo pasi, nga të gjitha vendvotimet KQZ-së i dërgohen në mënyrë elektronike votat për partitë dhe kandidatët dhe më pas ato ngarkohen në sistem.
Megjithatë, në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, votat nga jashtë dhe votat e votuesve me nevoja të veçanta, të cilat numërohen më vonë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas ligjit, 30 për qind e listës zgjedhore duhet të jetë me kandidate gra për deputete.
Gjatë përgatitjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit, një temë ka prodhuar betejë ligjore: certifikimi i Listës Serbe.
Kjo pasi, më 23 dhjetor përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër certifikimit të Listës Serbe. Përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan gjatë votimit.
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kjo parti më pas u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
PZAP-ja i dha të drejtë Listës Serbe, duke mos gjetur asnjë shkelje nga kjo parti që do të përbënte bazë për mos certifikim dhe urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë këtë subjekt.
Lëvizja Vetëvendosje më pas iu drejtua Gjykatës Supreme për vendimin e PZAP-së. Megjithatë, ankesa iu hodh poshtë.
Por, kjo nuk përfundoi këtu, pasi Lëvizja Vetëvendosje më 2 janar iu drejtua sërish PZAP-së duke kërkuar që të anulojë vendimin e KQZ-së për certifikim, duke thënë se vendimi është marrë në emër të KQZ-së, por pa miratimin e anëtarëve të këtij komisioni që organizon zgjedhjet, raporton REL.