Kosova paralajmëron dimër të pasigurt, çmimet e rrymës në berzë “fluturojnë”

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike, duke paralajmëruar dimër “shumë të pasigurt”, për shkak të gati dyfishimit të çmimeve në berzë brenda muajit korrik.
Në njoftimin për media të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) thuhet se kriza e thellë energjetike në Evropë ka prekur edhe Kosovën.

Sipas KEDS-it, në javën e parë të korrikut çmimi në berzën e Hungarisë – HUPX ishte 348 euro për megavat, kurse në javën e fundit të korrikut çmimi është rritur në 735 euro për megavat.

“Rritja e kërkesës në njërën anë dhe zvogëlimi i prodhimit në anën tjetër kanë bërë që anekënd Evropës të fluturojnë çmimet e energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Sipas KEDS-it, pos çmimeve enorme, nevoja për energji elektrike ka kufizuar ndjeshëm edhe mundësitë tregtare.

“Në tenderët që kemi zhvilluar së fundmi, në shumicën e rasteve nuk kemi pranuar asnjë ofertë. Në rast oferte shfaqen çmime ekstra të larta sipas kushteve të tregut”.

“Krijimi i këtyre situatave qysh verës, bën që të mbizotërojë një situatë shumë e pasigurt. Prandaj, në këto rrethana i lusim konsumatorët që të krijojnë mekanizma kursimi dhe të orientojnë ngrohjen e hapësirave të tyre të banimit nga format alternative për stinën e dimrit”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrja e këtyre veprimeve, sipas KEDS-it, ul ndjeshëm nevojën për import dhe rrit të njëjtën kohë sigurinë e furnizimit, që varet shumë edhe nga stabiliteti i prodhimit vendor.

Lexo edhe:  Aksident në Fushë Kosovë, vetura futet nën xhip

Si ta kursejmë rrymën?

Në fillim të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) ka bërë disa rekomandime se si mund të kursehet rryma.

“Aktivizimi i makinave për larjen e rrobave, si dhe i atyre për larjen e enëve gjatë natës, me tarifa të ulëta, është vetëm një nga metodat që do të kursente energjinë elektrike”, thuhet në një udhëzim të ZRRE-së.

Një tjetër rekomandim thotë se akumulimi i nxehtësisë në termot ngrohëse, mund të bëhet gjatë natës me tarifa të ulëta, ndërsa bojleri mund të përdoret vetëm atëherë kur nevojitet.