Kontrolle të shumta të Policisë, dy të rinj kapen në flagrancë me drogë e armë në Prishtinë

Konsumimi i drogës dhe mbajtja e armëve pa leje është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre dhe cenuar sigurinë e qytetarëve. Raste të tilla zbulohen pothuajse çdo ditë në të gjitha qytetet në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë, ku Policia ka ndaluar dy të mitur, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te njëri prej tyre, zyrtarët policorë kanë gjetur një sasi të marihuanës dhe një mjet të mprehtë, teksa te i dyshuari tjetër është gjetur vetëm një thikë.

Qesja me marihuanë dhe provat e tjera janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprat me të cilat ngarkohen.

Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar që i dyshuari që u kap me drogë dhe armë të dërgohet në ndalim dhe ndaj tij të iniciohet rasti për veprat penale “Posedim i paautorizuar substancave narkotike, psikotrope ose analoge” dhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Kurse ndaj të miturit tjetër është iniciuar rast vetëm për “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit

Lexo edhe:  Lajm i mirë për Drenicën, paralajmërohet hapja e një fabrike të madhe të kërpudhave