Kontrabandë me drunj dekorativë, policia konfiskon mallra në vlerë prej 7 mijë eurosh
Policia e Kosovës, përmes njësive të Task Forcës–Lindje dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka vijuar angazhimet për parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.
Një operacion i suksesshëm është realizuar më 23 qershor 2025, kur gjatë kontrolleve taktike është identifikuar një traktor me rimorkio të improvizuar që kishte kaluar ilegalisht nga fshati Tërrnocë në Serbi, në drejtim të fshatit Hodonoc në Kamenicë.
Gjatë operacionit, është zbuluar një rimorkio e ngarkuar me rreth 220 drunj dekorativë, të cilët ishin të destinuar për shpërndarje brenda Kosovës, duke shmangur detyrimet doganore.
Mallrat e kontrabanduara kishin një vlerë të përgjithshme prej rreth 7 mijë euro, përveç shmangieve të mundshme nga taksat doganore.
“Rimorkioja ishte e ngarkuar me drunj dekorativë të cilët ishin të pajisur me etiketa për shpërndarje përmes postës vendore. Gjatë kontrollit në oborrin e një shtëpie të pabanuar në fshatin Hodonoc, pronë e N.P., është gjetur rimorkioja që dyshohet të jetë e përdorur nga L.I., i cili u arrestua në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Shtetit për realizimin e këtij operacioni. Rimorkioja dhe mallrat janë sekuestruar dhe janë dërguar për procedura të mëtejshme në terminalin doganor.