Konflikt familjar në Prishtinë: 18-vjeçarja rrah brutalisht motrën e saj, e bën për spital
Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë.
Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre. E të shpeshta janë rastet kur në konflikte përfshihen motrat, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në rrugën ‘Bajram Bahtiri’ në Prishtinë, ku një vajzë dyshohet se ka rrahur motrën e saj më të vogël.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur në banesën e motrave, ku viktima e cila po qëndronte në dhomën e saj është sulmuar fizikisht nga 18-vjeçarja, e cila dyshohet ta ketë goditur me shqelm.
Si pasojë e dhunës, e mitura ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që e dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarës t’i caktohet masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.