Konflikt familjar në Pejë: Vëllai ushtron dhunë ndaj motrës 81-vjeçare, s’e lejon të hyjë në shtëpinë e saj

Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë, ku një burrë po dyshohet se i ka shkaktuar telashe motrës së tij 81-vjeçare.

Sinjali mëson se gjithçka dyshohet se ka ndodhur në shtëpinë e viktimës, ku edhe jeton i dyshuari, pasi ky i fundit nuk e kishte lejuar motrën të hyjë brenda dhe aty kishte plasur sherri. E moshuara ka deklaruar para zyrtarëve policorë se vëllai po i shkakton telashe në shtëpi dhe po e shqetëson tejmase.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në veprim dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili përveç që ka ushtruar dhunë në familje, dyshohet se ka dëmtuar edhe disa pjesë të lokalit të viktimës.

Kjo ka bërë që Prokurori i Shtetit ta urdhërojë ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe të iniciohen rastet në drejtim të dy veprave penale.

Lexo edhe:  Prezantohet projekti për master planin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”