Konfiskohen mbi 40 metra dru pa letra në tregun e Vushtrrisë

Prerja ilegale e pyjeve nuk ka të ndalur në vendin tonë edhe përkundër punës së Policisë e inspektorëve për parandalimin e kësaj dukurie.

Një aksion i Agjencisë Pyjore dhe Policisë në Vushtrri është realizuar sot ku janë konfiskuar 41.70 metër kub masë drunore, raporton Gazeta Sinjali.

Policia njofton se sot nga ora 10:00 në tregun e Vushtrrisë ka filluar një Plan Operativ i inspektorëve nga Drejtorati Qendror i Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe inspektorëve komunal në mbështetje të Policisë së Kosovës, zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Vushtrri dhe Njësisë së Reagimit të Shpejtë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Jugu.

Sipas Policisë qëllimi i këtij plani ka qenë parandalimi dhe ndalimi i aktiviteteve të jashtëligjshme të transportit, grumbullimit, deponimit, shitjes dhe përpunimit të masës drunore pa prejardhje ligjore.

Në tregun e qytetit të Vushtrrisë janë hasur shumë mjete me masë drunore ndërsa gjatë verifikimit të dokumentacionit, inspektorët kanë hasur në parregullsi te dokumentacionit te shumica e shitësve të masës drunore.

“Mjetet me masë drunore me dokumentacion të parregullt janë përcjellë nga ana e zyrtarëve policorë në deponinë e Agjencisë Pyjore të Kosovës në Vushtrri ku nga 26 mjete për bartjen e masës drunore, janë konfiskuar 60.5 metër hapësinore ose 41.70 metër kub masë drunore”, njofton Policia.

Mjetet janë liruar ndërsa procedurat kundërvajtëse ose penale kanë mbetur të zhvillohen nga inspektorët e Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti të Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Lexo edhe:  Vajza e Calit emocionon me mesazhin nga Haga: Sapo dola nga vizita me babin, ishte më i fortë e më kokëlartë se kurrë