Konfirmohet nga MKRS-ja: Projekti i stadiumit nacional prezantohet brenda këtij viti

Fillimi i punëve për ndërtimin e stadiumit nacional të Kosovës pritej të bëhej qysh në vitin 2019, por ky projekt deri sot ende nuk e ka gëzuar një përfundim.

Tani, me marrjen e kandidaturës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ndër planet e institucioneve vendore është edhe fillimi i ndërtimit të stadiumit nacional.

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku para disa muajve kishte shpalosur planin për ndërtimin dhe rinovimin e 27 stadiumeve në Kosovë, ku pjesë e tyre ishte edhe stadiumi nacional, plan ky që pritet të jetësohet gjatë pesë viteve të ardhshme.

Edhe pse komisioni për vlerësimin e ndërtimit të stadiumeve është formuar, ende nuk dihet asgjë sa i përket ndërtimit të stadiumit nacional, as vendi dhe as koha se kur do të fillojnë ndërtimet.

Në një intervistë për media, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani bëri të ditur se po synohet që projekti i stadiumit nacional të prezantohet brenda këtij viti.

Po ashtu, Osmani tregoi se po punohet me intensitet të lartë në masterplanin dhe në hartimin e kornizës ligjore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Projekti i Stadiumit Nacional synohet të prezantohet përbrenda këtij viti, po e quajmë nacional sepse ashtu e kemi etiketuar ndër vite”.

“Po punohet në hartimin e kornizës ligjore për Lojërat Mesdhetare me intensitet shumë të lartë si dhe me masterplanin e Lojërave Mesdhetare, dokument ky i cili do të na kthejë mbrapa të gjitha përgjigjet, qoftë për llojin e investimit, qoftë për koston, mirëpo mbi të gjitha edhe për lokacionet e duhura të investimeve që do t’i shërbejnë Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, mirëpo edhe gjithë komunitetit sportiv mandej e tutje”, tha Osmani.

Lexo edhe:  Kristian Prenga lartëson flamurin shqiptar, ‘shkatërron’ boksierin amerikan dhe merr dy tituj