Kompania “Drena” nuk po ua paguan qumështin fermerëve – ata po rrezikojnë t’i humbin punëtorët për shkak të vonesave në pagesa
Fermeri nga Drenica, i cili dorëzon qumështin në qumështoren “Drena” në Skënderaj, shpreh shqetësimin në lidhje me vonesat e pagesave.
Ai ka treguar për “Jepi zë” se çdo muaj, më datë 15, zakonisht pritet të bëhen pagesat, por kjo praktikë ka dështuar për disa muaj radhazi.
Fermerët nuk janë informuar për arsyet e kësaj vonese, duke i lënë ata në një situatë të vështirë financiare.
Fermeri shprehet se ka punëtorë që varen nga paga, ka shpenzime të tjera dhe se situata po bëhet e papërballueshme, pasi punëtorët po kërkojnë pagesat në kohë.
Pavarësisht përpjekjeve për t’u kontaktuar me kompaninë, ai thotë se askush nga “Drena” nuk i ka përgjigjur thirrjeve telefonike.
Edhe “Jepi zë” ka drejtuar pyetje në e-mailin zyrtar të “Drena”, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe kjo situatë tek fermerët po krijon një ndjenjë pasigurie dhe frustrimi sepse ata janë të varur nga ky biznes./ Jepi zë