Kompania Air Tiketa ua ndërron fluturimin udhëtarëve që ishin nisur për Shtutgart, i çon në Koln
Shumë udhëtarë kanë mbetur mbrëmë për disa orë në aeroportin e Prishtinës, pasi nuk pranonin të udhëtonin drejt Kolnit të Gjermanisë.
Kjo pasi, fluturimi ishte paraparë të ishte drejt Shtutgartit.
Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmë se udhëtarët nuk pranonin të bënin chek-in në aeroportin “Adem Jashari” dhe ankoheshin për kompaninë Air Tiketa.
Si ndodhi krejt rasti?
Fluturimi i linjës Prishtinë-Shtutgart i ditës së djeshme ishte paraparë të nisej në ora 21:10.
I njëjti ishte shtyrë fillimisht për në ora 21:50, pastaj për në ora 22:00 dhe më vonë për 22:10 minuta.
Si përfundim, pasi pasagjerët janë ofruar te porta, dhe në ora 22:25 është kompletuar bordi në aeroplan – udhëtarët janë njoftuar nga kapiteni i se nuk mund të zbresin në Shtutgart, pasi aeroporti i këtij qyteti mbyllet në ora 23:30 më së largu në 00:00.
Udhëtarët janë njoftuar se duhet të zbresin në Koln, duke shkaktuar shumë pakënaqësi, pasi shumë nga ata kanë refuzuar të zbresin në qytet tjetër.
Gazeta Sinjali mëson se disa nga udhëtarët kanë zbritur nga aeroplani, derisa shumica tjetër janë nis për në Koln.
Fluturimi nisi në ora 23:10 minuta, ndërsa në qytetin gjerman ka arritur rreth orës 01:40 pas mesnate.
Në ora 03:00, siç mëson Gazeta Sinjali, udhëtarët kanë hipur nëpër autobusë dhe janë bartur për në Shtutgart, ku kanë mbërritur rreth orës 08:00 të mëngjesit.