Koka të krimit të organizuar dhe kontrabandistë, këta janë strategët e barrikadave në veri
Koka të krimit të organizuar dhe kontrabandistë, këta janë strategët e barrikadave në veri
Kush e kontrollon veriun e Kosovës në të vërtetë dhe cilat janë interesat e errëta që luhen pas strategjisë së barrikadave…? E vërteta është se në Veri, nuk luhen vetëm interesa politike.
Tensionet dhe bllokadat i shërbejnë interesave kriminalë nga grupime të cilat në këtë zonë janë zotër të aktiviteteve të paligjshme.
Publikohet një video e Vuk Drashkoviq kur kërcënonte dhe kishte një plan p…
Veriu i Kosovës përbëhet nga katër komuna të cilat janë me shumicë serbe. Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zvecani kanë një popullsi prej rreth 48 mijë banorësh, 87% e të cilëve janë me kombësi serbe dhe 10% me kombësi shqiptare.
Këto katër komuna shtrihen në një sipërfaqe prej 1 mijë kilometrash katrorë. Në këtë hapësirë që shtyhet dhe tërhiqet nga Beogradi dhe Prishtina, lulëzon trafiku i paligjshëm, kontrabanda, kalimi i drogës dhe krimi i organizuar.
Emrat e përveçëm se kush kontrollon veriun e Kosovës nuk mungojnë. Ato na i thonë pothuajse të gjithë që ne takojmë dhe intervistojmë në Mitrovicë dhe Prishtinë. Ata janë Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviq i njohur si biznesmen. Ky i fundit konsiderohet si truri i bllokadave në Veri. Ai është njeri me mjaft influencë në politikën e Beogradit.
“Dmth shumë veprime që janë marrë nga qeveria e Kosovës për me facilitu integrimin e komunitet serb, siç është amnistia ndaj obligimit për me pagu energjinë elektrike, janë shfrytëzuar prej grupeve kriminale. Dhe ky është një lloj sekreti jopublik se kush qëndron pas këtyre grupeve kriminale në Kosovë, dhe ai është Milan Radoicic, nënkryetar i listës Sërbska në Kosovë, i cili e ka një fletë-arresti nga policia e kosovës për rolin e tij në vrasjen e poltikanit serb Oliver Ivanoviq.” u shpreh Shpat Balaj, Hulumtues/QKSS
Milan Radoiçiç ka lindur në vitin 1978 në Gjakovë. Vitet e fundit, ai dhe kumbari i tij Zvonko Veselinoviq kanë zhvilluar biznese në disa vende të Ballkanit si në Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, kryesisht në fushën e tregtisë dhe transportit.
Emri i tij u shfaq për herë të parë në media në vitin 2013, kur, së bashku me Zvonko Veselinoviqin, u akuzuan për bashkëpunim dhe nxitje në aktivitete të paligjshme që kryente me “kumbarin” e tij.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka përmendur Radoiçiçin si një nga “gardianët e Serbisë në Kosovë e Metohi”.
Në një intervistë që politikani i ndjerë Oliver Ivanoviq kishte dhënë para vrasjes së tij, ai e kishte quajtur Radoiçiçin si një nga qendrat kryesore të pushtetit në veri të Kosovës. Ai kishte shprehur publikisht shqetësimin e tij se pse presidenti Vuçiç e kishte quajtur atë një gardian të Serbisë.
Në vitin 2019 për Milan Radoiçiç u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar ku dyshohej se ai kishte ndihmuar dhe organizuar grupin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ndër të tjera ai ishte i dyshuar edhe për krim të organizuar dhe trafik droge. Njësia speciale e Kosovës ROSU arrestoi katër persona në veri të Kosovës por Radoiçiç ishte arratisur.
Veselinoviq dhe Radoiçiq janë në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të Shteteve të bashkuara të Amerikës. /Inside Story-TCh