Klinë: Djali sulmon njerkën dhe përleshet me babain e tij, përdoret edhe ‘stupci’
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në një familje në fshatin Perqevë të Klinës, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht njerkën e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në rast është përfshirë edhe babai i të dyshuarit, i cili i kishte dalë në mbrojtje gruas së tij.
Si rrjedhojë, babë e bir janë përfshirë në një përleshje fizike me njëri-tjetrin, ku përpos grushteve është përdorur edhe një shkop i drurit. Dy të dyshuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, si pasojë e lëndimeve të marra gjatë përleshjes.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë shoqëruar palët në stacion për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 34-vjeçari të ndalohet për 48 orë, ndërsa babai i tij do të hetohet në liri. Rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.