Kjo është përmbaruesja që po ua “nxin ymrin” qytetarëve, mijëra euro dëme – akuzohet nga Prokuroria
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurës S.K nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Gazeta Insajderi mëson së bëhet fjalë për Saranda Kuçi, përmbaruese private për territorin e Gjykatës Themelore në Prizren.
Sipas aktakuzës në periudhën kohore prej datës 27.12.2019 e në vazhdim, në Suharekë, e pandehura Saranda Kuçi, në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën e saj zyrtare, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër.
Njëkohësisht ajo dyshohet se i ka shkaktuar dëm prej mijëra eurosh, E. M dhe N.M që jetojnë në Norvegji.
“Gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve përmbarimore, i tejkalon autorizimet e saj duke shkelur afatin partitiv për përmbushje vullnetare të detyrimit, me ç’rast nuk i njofton paraprakisht të dëmtuarit E.M., dhe N.M., me detyrimet që i kanë, lidhur me faturën që e kishte lëshuar kreditorja S.S., vepron në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore, ashtu që të dëmtuarve E.M., dhe N.M., që jetojnë në Norvegji, nuk i njofton asnjëherë për lëshimin urdhërit përmbarimor atakues për pagimin e shumës prej 4.498,50 euro, dhe merr konkluzionin e datës 04.11.2021 për caktimin e seancës së parë të ankandit publik për shitjen e parcelës kadastrale”, thuhet në aktakuzë.
Më këtë veprim, e njëjta ka tentuar t’i dëmtojë të dëmtuarit e lartëcekur në vlerë prej 191 mijë euro, shumë kjo për të cilën është vlerësuar parcela kadastrale në fjalë.
Njëkohësisht ajo kishte për qëllim që avokates S.S., t’i sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë prej 4.498,50 euro, me ç’ rast i dëmton të dëmtuarit E.M., dhe N.M., në vlerë prej 5.298,50 euro (4.498,50 euro urdhri përmbarimor, 40.00 euro në emër të taksave gjyqësore për ankesë ndaj parregullsive dhe 800,00 euro shpenzimet e udhëtimit e për të gjitha këto veprime të ndërmarra nga e pandehura, të dëmtuarit kuptojnë me datë 30.03.2022 me rastin e nxjerrjes së listës poseduese në ZKK të Komunës së Prizrenit.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.