Kjo është gruaja që u arrestua pasi dyshohet se e ndihmoi Faton Hajrizin të arratiset

Dy persona janë arrestuar në Kosovë si të dyshuar se ndihmuan Faton Hajrizin për arratisjen nga burgu i Smrekonicës.

Gazeta Insajderi ka mësuar së bëhet fjalë për Hamide Xhafën, përveç saj u arrestua edhe E.B.

Sot, Gjykata Themelore në Mitrovicë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të pandehurve H.Xh. dhe E.B.

Sipas gjykatës ata kryen veprën penale “dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurëve H.XH dhe E.B dhe të njëjtëve i’u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Theksojmë se Faton Hajrizi ishte i arratisur nga 6 korrik i këtij viti. Ai u shpall në kërkim dhe vendndodhja e tij mbeti e panjohur deri më 18 korrik, kur në Serbi po dyshohet se vrau një zyrtar policor në qytetin perëndimor të Lloznicës.

Autoritetet serbe u vunë në kërkim të Faton Hajrizit si i dyshuari për këtë vrasje, derisa Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se ai ishte vrarë nga Policia.

Lexo edhe:  Ngjarje e tmerrshme në këtë qytet të Kosovës: Burri sulmon seksualisht mbesën e tij të mitur